Dr. Halil Ibrahimi, biolog nga departamenti i Shkencave Natyrore në Universitetin ‘Hasan Prishtina’, ka bërë të ditur se ai dhe ekipi i tij, sapo e kanë zbuluar edhe një insekt tjetër të ri, raporton Kosova Post.
“Potamophylax qafshtamaensis është lloji i ri i insektit për shkencën, i publikuar sot. E kam shumë për zemre këtë lloj sepse është lloji im i parë i ri për shkencën i zbuluar nga Shqipëria. E patëm mbledhë këtë lloj bashkë me Astritin në vitin 2016 në Qafështamë dhe sivjet u finalizuan analizat e hulumtimit” – ka shkruar Ibrahimi.
Dr. Ibrahimi, po ashtu ka shpjeguar se ky lloj, është mjaft i përafërt me llojin e zbuluar pak kohë më parë i cili u bë i njohur në mbarë rruzullin, për shkak të emrit unik:
“Krahas dallimeve morfologjike, rezultatet e ADN-së treguan se është fjala për lloj të ri për shkencën dhe do të publikohen në një punim më të madh ndaras ku analizohet krejt grupi, të cilit i takon lloji. Përndryshe, Potamophylax qafshtamaensis është një kusheri i largët i Potamphylax coronavirus, të përshkruar para pak kohësh nga Kosova. Nga dita kur e patëm gjetë këtë lloj në Qafështamë e kam edhe një kujtim tjetër nga Shqipëria. E pata marrë një dënim për kundërvajtje në trafik me zbritje 5%, për shkak të rripit të sigurisë vetëm disa metra pas daljes në rrugë 😃 .”
Ibrahimi po ashtu ka thënë se gjatë këtij viti do të finalizohen edhe disa hulumtime të tjera./KosovaPost/