Dhjetëra shqiptarë janë mbledhur në Zarë të Kroacisë për të protestuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke kërkuar drejtësi në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, i cili tha se tubimi u organizua për të kundërshtuar, sipas tij, padrejtësitë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“E kemi këtë protestë në Zarë, për padrejtësitë, liri për çlirimtarët, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit”, deklaroi Gucati.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit brohoritën vazhdimisht “UÇK”, ndërsa mbanin flamuj kuqezi dhe pankarta në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Protesta u organizua nga Shoqata e Shqiptarëve të Prefekturës së Zarës, në bashkëpunim me Unionin e Shqiptarëve në Kroaci dhe me iniciativën e Sami Gashit.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kishte njoftuar më herët se e mbështet këtë organizim, duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve të marrin pjesë për të shprehur solidaritet me ish-udhëheqësit e UÇK-së.


























