Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka bërë të ditur se në Romë ka pritur takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ku është miratuar “Karta e Romës”, një dokument politik që Qeveria italiane do ta paraqesë në Bruksel.
“Ne miratuam “Kartën e Romës”, një dokument politik të Qeverisë italiane, të cilin do ta prezantojmë në Bruksel: barazinë e shteteve anëtare pas anëtarësimit, mungesën e kërkesave të reja apo kushtëzimeve për qasje, si dhe përcaktimin e një kuadri të përbashkët të përshtatur për secilin vend kandidat”, ka shkruar kryediplomati italian në “X”.
Ai ka shkruar se po punojnë së bashku për të forcuar infrastrukturën e transportit, rrjetet energjetike dhe lidhjen digjitale, nga IMEC deri te Korridori VIII, si dhe për sigurinë ushqimore.
“Jemi të bindur për nevojën që t’i jepet përparësi politike ribashkimit të familjes evropiane me Ballkanin. Italia synon ta udhëheqë këtë proces, me një vizion strategjik të qartë dhe të vendosur”, tha ai.


























