Tirana ndizet nga ngjyrat kuqezi dhe flamujt e shtetit të Kosovës në pritje të vizitës së presidentes Vjosa Osmani.
Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë shtetërore dy ditore në Shqipëri gjatë së cilës do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Presidenti Begaj.
Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione.
Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje Presidenti Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për Presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova.
Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Pas takimit, Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Kryeministri Rama. Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë.
Poashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.


























