Një avari në sistemin elektrik të “Trepçës” ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në Minierën e Stan Tërgut, ku në momentin e incidentit ndodheshin 63 minatorë.
Sipas njoftimit të “Trepçës” Sh.A., avaria ka ndodhur më 7 tetor 2026, rreth orës 19:30, në Trafon e Tunelit, përkatësisht në sistemin 35 kV. Si pasojë, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion “Trepça” në Stan Tërg dhe Njësinë e Flotacionit.
Në momentin e avarisë, 63 minatorët ishin në ndërrimin e dytë dhe ishte planifikuar që punën ta përfundonin në orën 23:00.
“Pas ndërprerjes së energjisë elektrike, 54 minatorë kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa 9 minatorët e mbetur kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e “Trepçës”.
Furnizimi me energji elektrike është rikthyer në orën 02:30, ndërsa në orën 02:50 edhe nëntë minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe.
“Pas rikthimit të energjisë elektrike, ndërrimi i parë ka filluar punën normalisht në minierë”, njofton “Trepça”.
Ndërkohë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.
Ekipet teknike janë duke punuar për sanimin e avarisë, përfshirë kontrollimin dhe zëvendësimin e pesë siguresave mbrojtëse 6.3 kV, si dhe të elementeve të tjera të instalimit elektrik.
Sipas “Trepçës”, procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë.
“Pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së të gjitha verifikimeve teknike dhe të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit”, thuhet në njoftim.
Nga “Trepça” kanë bërë të ditur se ekipet mbeten të angazhuara për rikthimin e situatës në normalitet dhe se për zhvillimet e mëtejshme do të ketë njoftime në vazhdim.


























