Një 54-vjeçar ka humbur jetën sot në Ferizaj, pasi dyshohet se është rrëzuar nga kati përdhes në bodrumin e një objekti ku po zhvilloheshin punime ndërtimore.
Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e Policisë së Kosovës dhe ato të Emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Përveç patrullës policore, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë, ndërsa janë njoftuar edhe inspektorët e punës”, ka thënë Veseli.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili është informuar për veprimet e ndërmarra nga organet kompetente.


























