Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mblidhet sot në orën 13:00, për të diskutuar lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, të thirrur për 9 shtator.
Kështu ka bërë të ditur deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.
“Në orën 13:00, me një pikë diskutimi: seanca e thirrur më 9 shtator për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, ka deklaruar Mustafa.
Mbledhja pritet të drejtohet nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndërkohë, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive për 9 shtator, ku pritet të diskutohet për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kuvendi është mbledhur dy herë që nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Në seancën e parë deputetët u betuan, ndërsa më pas kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi shtyrje të seancës për të negociuar rreth çështjes së presidentit.
Kurti ka zhvilluar negociata me LDK-në, me të cilën ditë më parë është arritur një marrëveshje për Bekim Sejdiun si kandidat konsensual për president.
Megjithatë, gjashtë deputetë të LDK-së e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje.
Pas kësaj, Kurti ka deklaruar se marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së mbetet në fuqi.
Ndërkohë, PDK-ja dhe Aleanca kanë kundërshtuar negociatat me Kurtin, ndërsa kanë kërkuar vazhdimisht që të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me Guxo dhe Alternativën, ka siguruar 53 mandate. PDK-ja ka 22 ulëse, LDK-ja 18, ndërsa Aleanca 7 deputetë.
Që nga muaji prill, detyrën e presidentes së Kosovës e ushtron Albulena Haxhiu, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.


























