Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lançuar tri shërbime të reja digjitale që kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve tatimore për qytetarët dhe kontribuojnë në reformimin e brendshëm të kësaj administrate.
Këto tri shërbime elektronike do të ndihmojnë tatimpaguesit të përmirësojnë të kuptuarit e përmbushjes tatimore, të bëjnë vlerësim të obligimeve tatimore, si dhe të raportojnë evazionin dhe parregullsitë tatimore në mënyrë elektronike.
Në këtë ngjarje ishin të ftuar përfaqësues nga institucionet e vendit, përfaqësues nga sektori privat, shoqëria civile, si dhe partnerët e përhershëm të ATK-së.
Ilir Murtezaj, zëvendësdrejtori Ekzekutiv i ATK-së, tha se përkundër vështirësive ATK ja del të shtojë numrin e tatimpaguesve vit pas viti dhe të rrisë numrin e shërbimeve ndaj tyre.
Murtezaj tha se këtë herë ATK ka zgjeruar gamën e shërbimeve elektronike për qytetarët.
“Tashmë jemi shembull i administrimit tatimor në rajonin e Ballkanit Perëndimorë sipas shumë raporteve të organizatave ndërkombëtare. Dhe një ndër këto raporte është pikërisht raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar i publikuar në fillim të vitit 2023 ku konfirmohet fakti se ATK-ja është tashmë lider i vendeve të Ballkanit Perëndimorë në aspektin e rritjes së të hyrave tatimore”, theksoi Murtezaj.
Ai shtoi se janë të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të arritur deri në nivelet e shteteve anëtare të BE-së, ku edhe është synimi që të arrihet.