Policia e Kosovës ka arrestuar Vezir Hazirajn, i dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”, lidhur me një rast të plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 7 gusht në fshatin Orroberdë të Istogut.
Sipas Policisë, rasti është raportuar rreth orës 20:50, kur një person ishte plagosur me armë zjarri. Njësitë policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes e kanë gjetur viktimën të plagosur, e cila fillimisht është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas në QKUK në Prishtinë.
I dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në Pejë kanë zhvilluar hetime për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa me autorizim të prokurorit ishte bërë edhe kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Policia njofton se më 15 gusht, Sektori Rajonal për Hetime, në bashkëpunim me njësi të nivelit qendror, përfshirë NJSI/FIT dhe njësinë e vëzhgimit, ka zbatuar një plan veprimi për arrestimin e të dyshuarit.
Në operacion, sipas Policisë, rol të rëndësishëm ka pasur edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), e cila ka bashkëpunuar me institucionet e sigurisë gjatë gjithë periudhës së hetimit.
Policia thotë se, pasi ka vërejtur se nuk kishte mundësi të largohej, Vezir Haziraj është dorëzuar dhe arrestimi ka kaluar pa incidente.


























