Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet në aksin rrugor Livadhet e Istogut–Mokna, projekt i cili financohet tërësisht nga Ministria e Infrastrukturës në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Komunën e Istogut, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Basha njoftoi se aktualisht po zhvillohen punimet në fazën e dytë të projektit, e cila përfshin një gjatësi prej 11.9 kilometrash, me vlerë të kontratës bazë prej 2,844,411.83 euro.
Sipas tij, së bashku me fazën e parë, e cila tashmë është përfunduar, investimi i Ministrisë në këtë aks rrugor arrin në mbi 3.6 milionë euro, duke mundësuar asfaltimin e gjithsej 19.1 kilometrave rrugë.
Basha theksoi se ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, të lehtësojë qasjen në një nga zonat me potencial të madh turistik të Istogut dhe të krijojë kushte më të mira për qytetarët dhe vizitorët.
Ai shtoi se Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë me investime në modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në të gjitha komunat e Kosovës.


























