Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Centrist Democrat International (IDC-CDI), organizatës më të madhe politike të qendrës së djathtë në botë, ku ushtron detyrën e zëvendëspresidentit.
Asambleja ka mbledhur në Bruksel liderë politikë, ish-presidentë, eurodeputetë dhe përfaqësues të partive anëtare nga Europa, Amerika Latine, Afrika dhe Azia për të diskutuar zhvillimet politike globale, sfidat ndaj demokracisë, forcimin e shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Punimet u hapën nga Presidenti i IDC-CDI, ish-Presidenti i Kolumbisë Andrés Pastrana, ndërsa raportin e Sekretarit të Përgjithshëm e paraqiti eurodeputeti Antonio López-Istúriz.
Axhenda e Asamblesë përfshin fjalime të personaliteteve politike, diskutime në sesionin plenar me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe drejtues të partive anëtare, si edhe miratimin e rezolutave mbi çështjet kryesore të politikës ndërkombëtare.
Sipas njoftimit nga PD, në cilësinë e zëvendëspresidentit të IDC-CDI, Berisha është pjesë e drejtimit të punimeve të këtij forumi, i cili përfaqëson një nga platformat më të rëndësishme të bashkëpunimit mes forcave politike të qendrës së djathtë në nivel global.
“Pjesëmarrja e tij në këtë Asamble rikonfirmon rolin aktiv të Partisë Demokratike në forumet ndërkombëtare dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve me partnerët politikë që ndajnë vlerat e demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftim./atsh


























