Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot 29-vjetorin e protestës studentore të 1 Tetorit 1997, duke vlerësuar se Demonstrata e 1 Tetorit dhe Lëvizja Studentore e UPSUP-së shënuan një moment të rëndësishëm në rezistencën e shqiptarëve të Kosovës, duke ndërmjetësuar kalimin nga qëndresa paqësore civile drejt luftës çlirimtare të viteve 1997–1999, përcjell KosovaPost.
Kurti ka kujtuar protestën e vitit 1997, kur rreth 20 mijë studentë dhe një mijë profesorë të Universitetit të Prishtinës, së bashku me dhjetëra mijëra qytetarë, dolën në rrugët e Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës në mbështetje të studentëve.
Sipas Kurtit, protesta kishte për qëllim kërkesën për kthimin e studentëve dhe profesorëve shqiptarë në objektet universitare, nga të cilat ishin përjashtuar nga autoritetet serbe në vitin 1991. Ai theksoi se protesta paqësore u përball me dhunë nga policia serbe, ndërsa pas saj pasuan arrestime, marrje në pyetje, tortura dhe burgosje të protestuesve.
Kurti tha se demonstrata, e organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, nga një protestë studentore u shndërrua në një demonstratë gjithëpopullore kundër shtypjes dhe politikave të regjimit serb në Kosovë.
Në përvjetorin e 29-të, Kurti ka nderuar veçanërisht jetën dhe veprën e profesor Ejup Statovcit, i cili në atë kohë ishte rektor i Universitetit të Prishtinës, si dhe të gjithë studentëve, profesorëve dhe qytetarëve që morën pjesë në protestën e 1 tetorit 1997.


























