Në ditën e parë të gjykimit, Prokuroria në Hagë ka tentuar të shpjegojë fuqinë që e kishte Shtabi i Përgjithshëm, përkatësisht katër të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sot, mbrojtja e Thaçit ka shpjeguar, përmes disa shembujve, se si ai nuk kishte fuqi ekzekutive dhe në shumë raste vendimet e tij janë varur nga komandantët e zonave dhe Adem Demaçi.
Mbrojtja e Thaçit ka publikuar një video të rrallë ku shihet duke folur Rrustem Mustafa, komandant i zonës së Llapit, përmes së cilës Remi kishte treguar se e kishte kërcënuar Thaçin dhe delegacionin në Rambuje nëse e nënshkruajnë marrëveshjen.
“Më kujtohet që i kemi kërcënuar nëse i nënshkruani. U kemi thënë se kemi raketahedhës dhe në momentin e parë do ta rrëzojmë aeroplanin tuaj”, dëgjohet teksa thotë Mustafa.
Përvec këtyre, avokati nxori edhe një pjesë nga libri i diplomatit amerikan të angazhuar në Rambuje, Christopher Hill.