Deputeti i ri serb nga “Fronti i Gjelbër”, Dobrica Veselinoviç, ka nxitur debat në Kuvendin e Serbisë pasi gjatë fjalimit të tij ka përdorur termin “fqinjët tanë” duke iu referuar edhe Kosovës.
Duke folur për problemet me të cilat përballet Serbia, Veselinoviç ka përmendur marrëdhëniet me vendet përreth, ndërsa përdorimi i këtij termi për Kosovën ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të kryetares së Kuvendit serb, Ana Brnabiq.
Pas përfundimit të fjalimit të deputetit, Brnabiq ka theksuar se ky nuk është qëndrimi zyrtar i institucionit që ajo drejton.
“Për Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë, këta nuk janë fqinjët tanë. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë. Krahinë autonome, Krahinë Autonome e Kosovës.Këta nuk janë fqinjët tanë.Ky mund të jetë qëndrimi juaj dhe qartazi është qëndrimi juaj, prandaj nuk ju ndërpreva, por ky nuk është qëndrimi zyrtar i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë. Faleminderit.”, ka thënë ajo.


























