Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për spiunazh në favor të BIA-s serbe.
Sheholli, i cili edhe në seancën e sotme është deklaruar i pafajshëm, ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“Absolutisht i pafajshëm”, ka deklaruar Sheholli para trupit gjykues.
Gjatë seancës së sotme ka dëshmuar edhe një dëshmitar, i cili ka folur për një komunikim që, sipas tij, ka pasur me Shehollin pas arrestimit të tij.
Dëshmitari Arben Jetullahu ka deklaruar se kishte marrë një mesazh me përmbajtje që e ka konsideruar kërcënuese dhe shantazhuese, lidhur me kërkesën për ndihmë financiare.
“Prej paraburgimit më ka çuar porosi që, nëse nuk na ndihmon financiarisht, do t’i publikojmë disa video. Pas kësaj, unë i kam thënë: ‘Publiko çka të duash, se nuk të ndihmoj’. Herën e parë më kishte kërkuar një ndihmë për familjen e tij dhe ia kam dërguar 500 euro. Por, para disa ditësh, më ka çuar një porosi kërcënuese apo shantazhuese dhe nuk kam dashur ta ndihmoj”, ka deklaruar dëshmitari në gjykatë.
Deklarimet e dëshmitarit u bënë në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Shehollit, ndërsa akuzat e ngritura ndaj tij vazhdojnë të mbeten objekt i shqyrtimit gjyqësor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se, deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, BIA, duke zbatuar urdhrat e një zyrtari të këtij shërbimi.
Prokuroria pretendon se ai ka siguruar informacione lidhur me aktivitetet politike, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat më pas dyshohet se ua ka përcjellë zyrtarëve të BIA-s.
Në aktakuzë pretendohet gjithashtu se Sheholli ka zbatuar një plan operativ të përgatitur nga një zyrtar i BIA-s serbe, me qëllim të dëmtimit të interesave të Republikës së Kosovës.
Sheholli i ka mohuar akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës.


























