Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në konferencën për media pas takimit, Kurti tha se, derisa në rajon ka autokraci elektorale, Kosova vazhdon të jetë demokraci. Duke folur për proceset zgjedhore, ai tha se zgjedhjet duhet të mbahen një herë në katër vjet dhe jo dy herë brenda një viti.
“Ne mbrojmë vlerat e nenit 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian dhe mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim në BE mbetet ndër më të lartat në rajon, menjëherë pas Shqipërisë. Agjenda e reformave në kuadër të Planit të Rritjes po zbatohet. Kosova ishte ndër vendet e para që e dorëzoi atë dhe, ndonëse zbatimi zgjati më shumë sesa ishte planifikuar, çdo reformë do të përmbushet”, tha Kurti.
Kryeministri bëri të ditur se në takim me von der Leyen ka kërkuar avancimin e pozitës së Kosovës në proceset integruese evropiane, përfshirë anëtarësimin në EFTA dhe në organizata të tjera evropiane, si dhe përfshirjen në marrëveshjen evropiane për standardet e akreditimit.
Kurti tha se ka kërkuar po ashtu që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim.


























