Një automjet me targa të huaja është ndaluar për kontroll në pikën kufitare Kullë, ku zyrtarët doganorë kanë zbuluar një dylbi të destinuar për përdorim me pushkë snajper, për të cilën drejtuesi nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm.
Automjeti drejtohej nga një shtetas i Republikës së Kosovës, i cili gjatë intervistimit nga zyrtarët doganorë nuk kishte deklaruar se posedonte mallra apo mjete që duhej të deklaroheshin.
Megjithatë, bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët kanë kryer kontroll të detajuar të automjetit. Gjatë kontrollit është gjetur dylbia për pushkë snajper, për të cilën nuk janë paraqitur dokumentet apo autorizimet përkatëse.
“Malli është ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj personit janë ndërmarrë masat përkatëse dhe është iniciuar procedurë kundërvajtëse, si dhe procedura të tjera administrative në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës ka theksuar se vazhdon kontrollet në pikat kufitare me qëllim të parandalimit të hyrjes së mallrave të rrezikshme, të kufizuara apo të palejuara, si dhe garantimit të sigurisë së qytetarëve.


























