Një shtetas i Kosovës, me inicialet G.R., 47 vjeç, është arrestuar në Ulqin, nën dyshimin se ka kryer disa vjedhje në zonën e Plazhit të Madh dhe Plazhit të Vogël, raportojnë mediat lokale në Ulqin.
Sipas raportimeve, ndaj tij ishte lëshuar më herët një fletarrest lokal.
Gjatë kontrollit në banesën që përdorte i dyshuari, policia ka gjetur një pjesë të sendeve që dyshohet se ishin vjedhur në raste të mëparshme në territorin e Ulqinit. Po ashtu, është sekuestruar edhe një pako me lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë.
Hetimet paraprake kanë treguar se G.R. dyshohet se ka kryer tri vjedhje në zonën e Plazhit të Madh dhe Plazhit të Vogël.
Sipas raportimeve, nga qytetarët dyshohet se janë vjedhur para, telefona celularë, çelësa automjetesh, biçikleta, pije alkoolike me vlerë, cigare dhe sende të tjera personale.


























