Pas Aleancës, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në takimin e së martës, të thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me liderët e partive politike.
Takimi është ftuar nga Haxhiu me qëllim të zhvillimit të dialogut politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, në konferencë për media deklaroi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në takim, duke e cilësuar ftesën e Haxhiut si “tentativë manipulimi”.
Sipas Ismailit, në vend të takimit me liderët politikë, Haxhiu do të duhej t’i drejtohej kryesuesit së Kuvendit, Avni Deharit, për thirrjen e seancës.
“Kjo është edhe një tentativë manipulimi për afate, Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgoj Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, deklaroi ai


























