Ministrja në detyrë e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Fitore Pacolli, ka zhvilluar një takim bilateral me Ministrin e Mjedisit, Ujit dhe Bujqësisë të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdulrahman bin Abdulmohsen Al-Fadhli, në kuadër të Javës Botërore të Ujit në Arabinë Saudite dhe Takimit të Dytë Konsultativ për Forumin e 11-të Botëror të Ujit.
Gjatë takimit, Pacolli falënderoi homologun saudit për ftesën dhe mikpritjen, ndërsa prezantoi prioritetet e Kosovës në fushën e menaxhimit të burimeve ujore, trajtimit të ujërave të ndotura, përballimit të sfidave klimatike dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujit.
Ministrja shprehu gjithashtu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi, si dhe për angazhimin e Republikës së Kosovës në Organizatën Globale të Ujit, përcjell Kosova Post.
Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore dhe adresimin e sfidave globale që lidhen me ujin dhe ndryshimet klimatike.


























