Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar lidhur me gërmimet që po zhvillohen në Zubin Potok, pas dyshimeve për një varrezë masive, duke thënë se edhe pas 27 vitesh qytetarët ende jetojnë me dhimbjen e pritjes dhe shpresën për të mësuar të vërtetën për mijëra persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Hamza ka deklaruar se është e papranueshme që, ndërsa në Hagë pritet përfundimi i procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Serbia ende nuk ka dhënë llogari për krimet e kryera ndaj popullsisë së Kosovës dhe vazhdon ta mbajë peng të vërtetën për mijëra të zhdukur.
Sipas tij, Kosova e ka paguar shtrenjtë çmimin e luftës, ndërsa Mitrovica e ka përjetuar rëndë këtë dhimbje, me mbi 100 familje që ende presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.
Ai ka kujtuar edhe familjet e 23 intelektualëve mitrovicas, të cilët, sipas tij, u panë për herë të fundit më 19 prill 1999 në fshatrat e Zubin Potokut.
Hamza ka theksuar se një ditë kjo dhimbje do të marrë fund, por e vërteta duhet të dëgjohet dhe drejtësia duhet të vihet në vend.
“Kosova nuk do të ndalet së kërkuari të vërtetën për çdo të zhdukur, drejtësi për çdo familje dhe përgjegjësi për çdo krim. Ky është detyrimi ynë moral, kombëtar dhe shtetëror”, ka deklaruar Hamza.


























