Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Belind Këlliçi, ka kritikuar mundësinë e hapjes së një konsullate të Serbisë në Shkodër, duke e cilësuar atë si një veprim në interes të Beogradit dhe ndikimit të tij në rajon, transmeton KosovaPost.
Përmes një reagimi në X, Këlliçi tha se lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë në një intervistë, duke ngritur pyetjen se përse Serbisë i nevojitet një konsullatë në Shkodër.
Sipas tij, ky është një tjetër veprim që favorizon Serbinë, të cilin e krahasoi me nismën “Ballkani i Hapur”.
“Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, por kjo nuk duhet të përkthehet gjithmonë në favorizim të Serbisë”, u shpreh Këlliçi.
Ai shtoi se kjo qasje buron nga miqësia personale mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke pretenduar se ajo ka dëmtuar në disa raste interesat e Kosovës dhe interesin kombëtar shqiptar.


























