Universiteti i Harvardit ka nderuar historianin dhe autorin britanik Noel Malcolm me gradën e nderit “Doctor of Laës”. Në profilin kushtuar Malcolm-it, të publikuar nga “Harvard Gazette”, është cituar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në shkrimin e Harvardit për karrierën e Malcolm, Kurti ka vlerësuar rolin e historianit gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve ’90, duke e cilësuar atë si një zë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Kurti ka thënë se puna e Malcolm ishte me rëndësi në një kohë kur, sipas tij, propaganda po përdorej për të justifikuar gjenocidin dhe për të dokumentuar diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve.
“Puna e tij ishte në kohën e duhur, pasi propaganda po përdorej për të justifikuar gjenocidin dhe ajo dokumentoi diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se Malcolm “e vendosi historinë në perspektivën e duhur në një moment kur historia e shtrembëruar po përdorej si armë, në mënyrë që e vërteta e së kaluarës të mund të formësonte një të ardhme më të drejtë”.
Harvard, në profilin e Malcolm, thekson se ai ka pasur një karrierë të gjatë si historian, autor dhe studiues. Ndër veprat e tij më të njohura është libri “Kosovo: A Short History”, i botuar në vitin 1998, si dhe “Bosnia: A Short History”.
Malcolm ka studiuar histori dhe letërsi angleze në Peterhouse, pjesë e Universitetit të Cambridge-it, ku më pas ka qenë anëtar i Gonville and Caius College. Në vitin 1999, ai ishte studiues vizitor në Universitetin e Harvardit, ndërsa më vonë ka ligjëruar në universitetet e Oxford-it dhe Cambridge-it.
Ai është anëtar i Akademisë Britanike dhe i Royal Society of Literature, si dhe anëtar nderi i Peterhouse, Trinity dhe Gonville and Caius në Cambridge.
Harvardi ka bërë të ditur se Malcolm është njëri prej pesë personaliteteve të nderuara me grada nderi gjatë ceremonive të Commencement 2026.


























