Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe në përvjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Adem Demaçi, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të shquara të rezistencës politike dhe të përpjekjeve për lirinë e Kosovës.
Në një postim në Facebook, Haxhiu vlerësoi se jeta dhe veprimtaria e Demaçit pasqyrojnë periudha kyçe të historisë së vendit. Ajo kujtoi se ai ishte ndër ata që kundërshtuan padrejtësitë në një kohë kur kërkesa për liri ndëshkohej me burg, ndërsa mbeti aktiv edhe pas çlirimit të Kosovës.
Sipas saj, Demaçi nuk luftoi vetëm kundër robërisë, por edhe kundër gjakmarrjes, duke bërë thirrje që liria të mos shndërrohej në hakmarrje.
Haxhiu theksoi se ai kaloi 28 vjet në burg për shkak të bindjeve të tij politike, pa u tërhequr asnjëherë nga kërkesa për lirinë e Kosovës.
Ajo rikujtoi gjithashtu se veprimtaria e Demaçit u vlerësua edhe ndërkombëtarisht. Ai u shpall i burgosur i ndërgjegjes nga Amnesty International, lirimi i tij u kërkua në Senatin amerikan, ndërsa Parlamenti Evropian e nderoi me Çmimin Saharov për qëndresën ndaj regjimit autoritar.
Edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi se Demaçi ishte sinonim i qëndresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb mbi shqiptarët.
“Adem Demaçi është shembulli i pathyeshmërisë dhe përjetësisë. Ai u rrit, mbajti 28 vjet burg, vazhdoi jetën duke mos u lëkundur asnjëherë nga rruga dhe idealet që kishte nisur. Baca Adem e kishte kuptuar dialektikën e jetës ngaqë nuk i frikësohej vdekjes. Ai jetonte mes lirisë dhe burgut. Vuajtjet i kthente në forcë, dhuna ia farkëtonte rezistencën teksa vepra i bëhej e pavdekshme. Ai e ‘kishte vrarë vdekjen’”, tha ai.
Përkundër gjithsej 28 vjetëve në burgjet e regjimit shtypës jugosllav e serb, fillimisht 3 vjet, pastaj 10 vjet dhe herën e tretë 15 vjet, Adem Demaçi mbeti i pathyeshëm, i palëkundur, i palodhshëm dhe i pandalshëm në angazhimin e tij për interesat kombëtare dhe politike të shqiptarëve në ish Jugosllavi.
Për luftën e paepur për mendimin dhe fjalën e lirë, si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, më 1991, Parlamenti Evropian e nderoi Adem Demaçin me çmimin “Sakharov”. Ai krahasohet me fituesin e parë të këtij çmimi aktivistin jugafrikan Nelson Mandela.
Krahas veprimtarisë dhe kontributit të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare që nga vitet e ‘50-ta të shekullit të kaluar, si dhe krijimtarisë së pasur letrare, Adem Demaçi ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


























