Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova tashmë ka një lajm të mirë për stabilitetin institucional, pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës si presidente e re e Republikës së Kosovës.
“Presidentja Justina Shiroka-Pula është presidentja e tretë grua e zgjedhur, në fakt e katërta nëse llogarisim edhe periudhën time si ushtruese e detyrës së presidentes. Edhe në Kryesinë e Kuvendit gratë janë fuqishëm të përfaqësuara. Nga gjashtë anëtarë, katër janë gra: unë si kryetare dhe tri nënkryetare, përfshirë edhe zonjën Rexhepi, e cila është me ne sonte”, tha ajo.
Sipas saj, Gjermania e njeh shumë mirë rëndësinë e grave në pozitat drejtuese. “Sot kujtojmë suksesin e ribashkimit të qytetarëve gjermanë, i cili i dha fund dekadave të ndarjes dhe hapi mundësi të reja”, theksoi Haxhiu.
Ajo tha se më 3 tetor 1990, gjermanët u ribashkuan në një shtet. “Për shumë familje, kjo ishte një ngjarje që do të përcaktonte jetën e tyre. Vizitat te të afërmit, kthimi në shtëpi dhe zgjedhja e lirë e vendbanimit ishin pjesë e një lirie që më parë u ishte mohuar”, tha kryeparalmentarja Haxhiu në ceremoninë e organizuar për shënimin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.
“Kur kujtojmë Bashkimin e Gjermanisë, kujtojmë edhe guximin e qytetarëve që dolën në rrugë në mënyrë paqësore, duke kërkuar të drejtën për të vendosur për jetën e tyre. Ata nuk e dinin me siguri se çfarë do të sillte dita e nesërme, megjithatë besuan se ndryshimi ishte i mundur dhe morën rrezikun për ta kërkuar atë”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Gjermania është një vend me të cilin kemi lidhje të forta familjare. “Në vitet më të vështira për Kosovën, Gjermania hapi dyert për shumë familje që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Ajo ishte aty për refugjatët dhe për njerëzit që qëndruan pranë tyre. Gjermania ka qenë një partnere e fuqishme në zhvillimin e vendit dhe ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Mbështetja e saj na shoqëroi në rindërtimin e institucioneve dhe në përpjekjet tona për t’u ofruar qytetarëve një perspektivë më të mirë. Sot, marrëdhëniet tona pasqyrojnë peshën e shumë kosovarëve që jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Ata janë pjesë e shoqërisë gjermane dhe mbeten të lidhur me vendin e tyre. Përmes punës dhe miqësive të tyre, ata i afrojnë dy vendet tona”, tha ajo.


























