Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka udhëtuar sot për në Itali, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Gjatë qëndrimit në Itali, U.D. Presidentja Haxhiu do të marrë pjesë edhe në pritjen e organizuar nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, për krerët e shteteve dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare.
Kosova në këtë edicion do të përfaqësohet në 17 sporte individuale dhe katër sporte ekipore, me gjithsej 163 sportistë.
Ky është numri më i madh i sportistëve me të cilin Kosova është përfaqësuar deri më tani në Lojërat Mesdhetare.
“Taranto 2026” ka rëndësi të veçantë për Kosovën edhe për faktin se edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030.


























