Haxhiu: Përgjegjësia për vendin mbetet e përhershme

Albulena Haxhiu, e cila për gjashtë muaj ka ushtruar detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, ka thënë se përgjegjësia për vendin mbetet e përhershme, pavarësisht kohës në të cilën u besohet detyrat shtetërore, përcjell KosovaPost.

Haxhiu ka shkruar se sot ia ka dorëzuar detyrën Presidentes së zgjedhur, Justina Shiroka Pula.

“Detyrat shtetërore na besohen për një kohë, por përgjegjësia për vendin mbetet e përhershme”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se ndihet e nderuar që ka pasur mundësinë t’i shërbejë Republikës edhe në këtë detyrë, ndërsa ka shprehur mirënjohje ndaj qytetarëve që, siç ka thënë, i besuan dhe e pritën me ngrohtësi.

Haxhiu ka vlerësuar se Presidentja e re e merr detyrën në një moment që kërkon maturi politike dhe gatishmëri për bashkëpunim.

Sipas saj, dallimet politike do të jenë pjesë e jetës demokratike, por ato duhet të shërbejnë për debat dhe vendime më të mira, duke ruajtur mundësinë për marrëveshje për çështjet me rëndësi për të ardhmen e vendit.

Haxhiu i ka uruar sukses Justina Shiroka Pulës në detyrën e re dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim institucional.

Ajo ka thënë se suksesi në përmbushjen e përgjegjësive të Presidentes së re do t’i shërbejë Kosovës, forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare dhe besimit të qytetarëve në shtetin e tyre.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish