Ushtruese e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe situatën institucionale në vend, me theks të veçantë te nevoja për dialog politik dhe tejkalimin e ngërçit aktual.
“Në takim u diskutua për nevojën e dialogut politik dhe për përpjekjet për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi aktual institucional, me qëllim që institucionet të formohen sa më parë dhe vendi të ecë përpara në përputhje me rendin kushtetues”, thuhet në njoftim.
Haxhiu ka vlerësuar edhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke e cilësuar atë si një partner të rëndësishëm të vendit.


























