Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se ekzistojnë dyshime se një pjesë e armëve të sekuestruara gjatë operacioneve të fundit në Zubin Potok mund të lidhen me rastin e vrasjes së grupit të intelektualëve të Mitrovicës.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë konferencës së Policisë së Kosovës, Hoxha theksoi se kjo mbetet ende në fazën e dyshimeve dhe se lidhja eventuale do të duhet të vërtetohet përmes ekzaminimeve forenzike.
“Normal që këto janë dyshimet tona, që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive të rastit të grupit të intelektualëve. Mirëpo, këto mbeten me u verifikuar pas ekzaminimit që do të bëhet në laboratorët e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Ai ka shtuar se, nëse paraqitet nevoja, armët mund të dërgohen për ekzaminim edhe jashtë vendit.
Sipas Hoxhës, të gjitha armët e sekuestruara janë ilegale dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimit individual, me qëllim që të përcaktohet nëse ndonjëra prej tyre është përdorur në raste të caktuara kriminale.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Agjencia Kosovare e Forenzikës tashmë është urdhëruar që t’i trajtojë me prioritet armët e sekuestruara.
Ai tha se menjëherë pas përfundimit të konferencës, i gjithë armatimi do të dërgohet në Agjencinë e Forenzikës për ekzaminim, në bashkëpunim me zyrtarët policorë të angazhuar në hetim.
“Në momentin e parë që kemi informata të bazuara në shkencë, patjetër që policia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm, qoftë në hetim e pastaj edhe në sjelljen para drejtësisë të cilido që është i përfshirë në këtë masakër”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës dhe identifikimin e personave përgjegjës për krimet e kryera.


























