Hoxha pret shefin e ri të EULEX-it, zotohen për thellim të bashkëpunimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, së bashku me stafin e tij, ka pritur të mërkurën në takim zyrtar njoftues shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Kosovë, Antero Lopes, transmeton KosovaPost.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë takimit Hoxha i uroi mirëseardhje Lopes në detyrën e tij të re dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që EULEX-i i ka ofruar Policisë së Kosovës.

“Gjatë këtij takimi, Kolonel Hoxha i uroi mirëseardhje z. Lopes në detyrën e tij të re dhe shprehi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që ky mision i ka ofruar policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia bëri të ditur se Hoxha dhe Lopes konfirmuan vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

“Të dy krerët konfirmuan vullnetin e plotë për të thelluar bashkëpunimin me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas Policisë, takimi është përmbyllur me zotimin e përbashkët për vazhdimin e partneritetit institucional ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

“Takimi u përmbyll me zotimin e përbashkët për të ruajtur partneritetin e shkëlqyer institucional mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it”, thuhet në njoftim.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish