Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ardian Gola, ka reaguar për rolin dhe rëndësinë historike të UÇK-së, duke e cilësuar atë si simbol të identitetit modern shqiptar dhe të përpjekjes për liri.
Gola ka thënë se UÇK-ja nuk është vetëm një kapitull i historisë, por “apoteoza e angazhimit historik të shqiptarëve për liri”.
Sipas tij, në emrin e UÇK-së përmblidhen sakrifica, guximi, qëndresa dhe vullneti i një populli për të qenë i lirë, nga viktimat e luftës e deri te heroizmi i Adem Jasharit.
“UÇK-ja është më e madhe se çdo individ, parti, pushtet apo kohë politike. I përket një historie shumë më të gjerë se secili prej nesh”, ka shkruar Gola.
Duke iu referuar Gjykatës Speciale, deputeti i VV-së ka thënë se UÇK-ja është përballur ndër vite me sfida dhe padrejtësi të ndryshme, ndërsa ka shprehur bindjen se ajo do t’i qëndrojë edhe kësaj sfide.
“Shenjtëria e këtyre tri shkronjave nuk përthekohet dot nga gjuha, politike ose akademike qoftë, e as nga verdiktet gjyqësore”, ka deklaruar ai.
Në fund të reagimit, Gola e ka përmbyllur mesazhin me “Lavdi!”.


























