Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të veçanta të sigurisë për marshin solidarizues paqësor që do të mbahet sot në Prishtinë, me qëllim të garantimit të sigurisë së pjesëmarrësve, qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion.
Marshi është paraparë të nisë në orën 14:00 dhe do të zhvillohet në sheshet kryesore të kryeqytetit, “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu”.
Sipas Policisë, njësitë policore do të angazhohen para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe për mbarëvajtjen e marshit pa incidente.
Për shkak të lëvizjes së pjesëmarrësve, priten kufizime dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga marshi. Policia ka paraparë edhe angazhimin e njësive të trafikut për riorientimin e qarkullimit, në rast nevoje.
Rrugët që, sipas planifikimit, do të bllokohen për qarkullim janë “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi”. Policia ka paralajmëruar se, varësisht nga nevojat operative, mund të ketë ndërprerje të përkohshme edhe në rrugë të tjera.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë që aktiviteti të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.
Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren gjatë aktivitetit, ndërsa Policia ka theksuar se siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e marshit mbeten prioritet.


























