Komandanti i forcave paqeruajtëse të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia tha të premten se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës tregojnë se situata mbetët e paqëndrueshme dhe shumë lehtë mund të përshkallëzohet ndërsa paralajmëroi shtimin e trupave të NATO-s në terren.
Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Prishtinë, në prag të përfundimit të mandatit të tij, gjatë së cilës tha se situata është bërë më e vështirë për t’u menaxhuar për shkak të një sërë faktorësh ndërhyrës dhe veçanërisht mosbesimit ndërmjet palëve.
“Të gjitha këto ngjarje tregojnë se situata mbetët e paqëndrueshme dhe shumë lehtë mund të përshkallëzohet. Për shkak të ngjarjeve të fundit, misioni i KFOR-it ka shtuar praninë dhe veprimtaritë në Kosovë dhe NATO ka autorizuar shtimin e forcave shtesë për të trajtuar situatën”, tha ai.
Zoti Ristuccia tha se janë duke u zhvilluar hetime për ngjarjet e 24 shtatorit dhe KFOR-i ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të ulur rrezikun. Ai tha se është shumë herët të dihet se prej nga kanë ardhur armët në Banjskë.
“Me siguri qëllimi i kryerjes së krimit ishte padyshim që të krijohet një destabilitet dhe kaos”, tha ai.


























