Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar për eksportin e qymyrit të Kosovës, duke kritikuar ata që, sipas saj, më herët nuk e kishin problem shitjen e thëngjillit me çmime shumë më të ulëta, përcjell KosovaPost.
Rizvanolli ka thënë se në të kaluarën qymyri i Kosovës është shitur për rreth 8 euro për ton, ndërsa në një rast, sipas saj, çmimi ka qenë 3.78 euro për ton pa tantiemë dhe TVSh.
Ajo thekson se situata ka ndryshuar me marrëveshjen aktuale, përmes së cilës KEK-u e shet qymyrin me çmim dukshëm më të lartë, prej 21.4 euro për ton pa tantiemë dhe TVSh.
“Për disa nuk ishte problem kur thëngjilli i Kosovës shitej për 8€/ton (3.78€/ton pa tantiemë e TVSh) e nga stërshitja e tij në Maqedoni përfitonin individë e kompani. Mirëpo, tash që nuk po fitojnë ata por po fiton KEK-u duke e shitur gati 6-fish më shumë, eksporti na u bë problem e ‘skandal’”, ka shkruar Rizvanolli.


























