Mbledhja e Komisionit për Buxhet ka dështuar për mungesë kuorumi, pas përplasjeve mes deputetëve për mënyrën e prezantimit të projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Mospajtimet nisën pas kërkesës që projektligji të prezantohej nga zëvendësministri në mungesë të ministrit, ndërsa debati u shoqërua me akuza mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet, ku ishte planifikuar shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ka dështuar për mungesë kuorumi, pas debatit mes deputetëve për mënyrën e prezantimit të tij.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka kundërshtuar shqyrtimin e projektligjit në mungesë të ministrit, duke kërkuar që pika të mos trajtohet pa praninë e përfaqësuesit përkatës të ministrisë.
“Ne kemi pasur praktikë që të kemi vetëm ministrin, nuk është mirë që të ndryshojmë këtë. Përderisa nuk kemi përfaqësues nga ministria, më duket e arsyeshme që të mos mbahet kjo pikë e rendit të ditës”, ka deklaruar Lushtaku.
Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka propozuar që projektligji të prezantohet nga zëvendësministri ose sekretari i ministrisë, duke vënë në pah rëndësinë financiare të tij.
“Ky projektligj ka kaluar në lexim të parë edhe në legjislaturën e kaluar. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ligji, mundëson plotësimin e 55 milionë eurove të buxhetit të shtetit. Duke pasur parasysh ligjin, unë ju ftoj kolegë deputetë që të votojmë mundësinë që zëvendësministri, sekretari, të jetë prezent dhe ta prezantojë ligjin”, ka thënë Nagavci.
Gjatë mbledhjes, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar mënyrën e hartimit dhe miratimit të ligjeve, duke pretenduar se Kuvendi po përsërit shkelje procedurale që çojnë në kthimin e ligjeve nga Gjykata Kushtetuese.
“Në praktikën e Kuvendit jo shumë ligje kanë rënë nga Gjykata Kushtetuese, po vijmë prapë në pikën se asnjëherë nuk keni bërë ligje si duhet. Po vijmë në një situatë ku shpejt e shpejt po bëhen ligje që pastaj po dërgohen në Kushtetuese. Rruga më e shkurtër shkon te Gjykata Kushtetuese dhe tregon se ju jeni shkelës të mëdhenj të Kushtetutës”, ka deklaruar Haxhiu.
Kryetari i Komisionit, Enver Haliti nga Vetëvendosje, i ka kundërshtuar këto pretendime, duke thënë se çështjet e ngritura lidhen me afatet procedurale ndërmjet dy leximeve.
“Janë për shkak të afatit që mes dy leximeve nuk kanë qenë 72 orë”, ka thënë Haliti.
Edhe deputeti i LVV-së, Valon Hoti, ka insistuar se bëhet fjalë për çështje procedurale dhe jo për përmbajtjen e ligjeve.
“Asnjë nga ligjet nuk ka qenë antikushtetues, ka qenë për shkak të kohës së shkurtër që deputetët t’i lexojnë ato ligje. Tjetër gjë është shkelje, tjetër gjë është tejkalim i procedurës”, ka deklaruar Hoti.
Debati ka eskaluar më tej me akuza të drejtpërdrejta mes deputeteve Teuta Haxhiu dhe Arbërie Nagavci.
“Arbërie Nagavci është shkelëse e Kushtetutës, jeni shkelës numër një të Kushtetutës”, ka deklaruar Haxhiu.
Nagavci i është përgjigjur duke bërë të ditur se ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj Haxhiut dhe se pret që çështja të trajtohet nga gjykata.
“Unë kam bërë padi për të, nuk do të më ndalë, pres që gjykata ta shqyrtojë rastin, tendenca e saj për shpifje do të evidentohet”, ka thënë Nagavci.
Haxhiu më pas ka ngritur pretendime lidhur me përfshirjen e Nagavcit në çështje që kanë të bëjnë me mësimdhënësit dhe trajnimet, duke përmendur edhe motrën e saj.
“Për atë që kam thënë e përmendi, ka ndërhyrë në çështje të mësimdhënësve duke kërkuar të shkojë në një trajnim. Motra e saj ka qenë drejtoreshë e organizatës, i ka thirrur me shku në trajnim kjo dhe vetë motra e saj”, ka deklaruar Haxhiu.
Pas debatit, zëvendësministri u ftua të prezantonte projektligjin, por edhe kjo mënyrë e prezantimit u kundërshtua nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, dhe deputetja Teuta Haxhiu.
Si pasojë e mospajtimeve dhe mungesës së kuorumit, mbledhja e Komisionit për Buxhet nuk arriti të vazhdonte me shqyrtimin e projektligjit, i cili, sipas Nagavcit, lidhet me plotësimin e 55 milionë eurove në buxhetin e shtetit.


























