Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë thirrje që vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të jetë i bazuar në drejtësi dhe jo në konsiderata politike.
Duke folur për mediat, Konjufca tha se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe vlerësoi se një vendim që, sipas tij, do ta paraqiste atë si luftë kriminale do të shkaktonte pakënaqësi të madhe në Kosovë.
“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos bëjë vendim politik, por vendim të drejtësisë. E nëse bën vendim të drejtësisë, ne të gjithë e dimë çka është drejtësia. Ne të gjithë jemi dëshmitarë që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë. Të kishte qenë luftë kriminale, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi Konjufca.
Ai theksoi se mbështetja e vendeve perëndimore dhe bashkëpunimi me NATO-n dëshmojnë, sipas tij, karakterin e drejtë të luftës së UÇK-së.
“Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështetë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës. Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë bashkë me figurat më të njohura të UÇK-së. Oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar me oficerët e UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme, sepse lufta jonë i ka kontribuar ndaljes së gjenocidit të Millosheviqit”, u shpreh ai.
Konjufca shtoi se një vendim i bazuar në konsiderata politike do të shkaktonte reagime të forta.
“Kjo është drejtësia. Nëse vendoset drejtësia, ne nuk dëshirojmë si popull, bile do të ishim shumë të revoltuar nëse do të merrej vendim politik”, tha ai.


























