Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Konjufca e falënderoi ambasadorin Angılı për angazhimin e tij gjatë mandatit në Kosovë dhe për kontributin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Zëvendëskryeministri Konjufca e falënderoi ambasadorin Angılı për angazhimin e tij gjatë mandatit në Kosovë dhe për kontributin në forcimin e dialogut dhe të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të dy vendeve,” thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e afërta dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe bashkëpunimi i deritanishëm në fusha të ndryshme.
Po ashtu, Konjufca shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.
“Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi vullnetin e Kosovës për të vazhduar avancimin e këtij bashkëpunimi dhe për të zgjeruar më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve në fusha me interes të përbashkët,” thuhet më tej në njoftim.
Në përfundim të takimit, Konjufca e falënderoi ambasadorin Angılı për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij dhe i uroi suksese në detyrat dhe angazhimet e ardhshme.


























