Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin e 27 tonëve misër merkantil nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar nivel të lartë të aflatoksinës, përcjell KosovaPost.
Sipas komunikatës së AUV-së, në ngarkesën e importuar nga operatori ekonomik “IDEAL GROUP” SH.P.K. është konstatuar prania e aflatoksinës në nivel prej 33 mikrogramësh për kilogram, duke tejkaluar kufirin e lejuar prej 20 mikrogramësh për kilogram.
Rezultati është konfirmuar edhe përmes superanalizës së realizuar nga laboratori referent në Austri.
Pas konstatimit të tejkalimit të kufirit të lejuar, AUV-ja ka nxjerrë vendim për refuzimin e importit dhe ka urdhëruar kthimin e të gjithë sasisë prej 27 mijë kilogramësh në vendin e origjinës.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se kontrollet rigoroze të importeve do të vazhdojnë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimit të hyrjes në tregun e Kosovës të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.


























