Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se Kosova ka përmbyllur sot me sukses kapitujt negociues për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Shtetet e EFTA-së: Islandën , Lihtenshtajnin , Norvegjinë dhe Zvicrën, transmeton KosovaPost..
Sipas njoftimit të MINT-it, pas katër raundeve negociata, të filluara në vitin 2022 kjo është një arritje e jashtëzakonshme për vendin, duke hapur kështu rrugën për zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për ndërmarrjet, industritë dhe qytetarët nga të dyja palët.
Në njoftim theksohet se marrëveshja përfshin fushën e tregtisë së mallrave dhe atë të shërbimeve. Vlen të theksohet që Kosova është i vetmi shtet nga vendet e rajonit, që negocion tregtinë e shërbimeve me vendet e EFTA-së.
“Kjo ka rëndësi jetike duke pasur parasysh potencialin që Republika e Kosovës ka në ofrimin e shërbimeve profesionale. Marrëveshja e sotme shënon jo vetëm përfundimin e negociatave, por edhe fillimin e një partneriteti më të fortë mes vendeve tona. Dhe siç dihet, vendet e EFTA-së kanë rëndësi strategjike për ekonominë e vendit”, thuhet në njoftim.
Negociatat e EFTA-s u udhëhoqën nga Zef Dedaj, udhëheqës i delegacionit të Kosovës, ndërsa nga radhët e EFTA-s nga Karin Buechel, udhëheqëse e delegacionit.