Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) informon opinionin publik se, në takimin e mbajtur më 2 tetor 2026, pas shqyrtimit të çështjes në pajtim me kompetencat e tij ligjore dhe pas vlerësimit të rrethanave relevante institucionale dhe profesionale, ka vendosur për largimin nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj. Ndërsa, funksionin e prokurorit do ta ushtroj në këtë prokurori.
KPK njofton se vendimi është marrë në mbështetje të nenit 22, paragrafi 5, të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-249, mbi bazën e rrethanave të konstatuara dhe të dokumentuara në procedurën përkatëse.
Andaj, pas marrjes së vendimit për largimin nga pozita e Kryeprokurorit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar z. Dren Paca, prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Ushtrues të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, deri në plotësimin e pozitës në pajtim me procedurat dhe kompetencat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Caktimi i Ushtruesit të Detyrës synon të sigurojë vazhdimësinë e menjëhershme të funksionimit institucional, ushtrimin e pandërprerë të kompetencave të Prokurorisë Speciale dhe garantimin e efikasitetit në trajtimin e rasteve penale, pa lejuar që ndryshimi në drejtimin e institucionit të cenojë funksionimin e tij të rregullt.
KPK vlerëson se në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, janë evidentuar dhe konstatuar, ndër të tjera, këto rrethana:
keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës;
jokompetenca në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit;
dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj për pozitën e Kryeprokurorit;
mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës, e konstatuar përmes vlerësimit të performancës të realizuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe aktet përkatëse nënligjore.
Gjithashtu, KPK thekson se këto nuk përbëjnë vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale.
Sipas vlerësimit të KPK-së, secila prej këtyre rrethanave, veçmas dhe në mënyrë të pavarur, përbën bazë për ndërmarrjen e masës së largimit nga pozita, në kuptim të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Po ashtu, Këshilli Prokurorial vlerëson me shqetësim të veçantë gjendjen e efikasitetit institucional të Prokurorisë Speciale. Mënyra e menaxhimit të kësaj Prokurorie, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në dobësimin e efikasitetit dhe rezultateve institucionale, duke krijuar një situatë që kërkon ndërhyrje të përgjegjshme, institucionale dhe të menjëhershme.
Për KPK-në, drejtimi i një institucioni të tillë nuk mund të reduktohet në ushtrimin formal të kompetencave administrative. Kryeprokurori bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, menaxhimin, funksionalitetin dhe rezultatet e institucionit që drejton, në përputhje me ligjin, standardet profesionale dhe detyrimin kushtetues për funksionimin efikas të sistemit prokurorial.
Në këtë kuptim, KPK konsideron se përgjegjësia institucionale dhe llogaridhënia nuk janë çështje diskrecionale, por kërkesa të domosdoshme për funksionimin e një sistemi prokurorial të pavarur, profesional dhe efikas.
Andaj, KPK u garanton qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rikthimin e efikasitetit, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale dhe përmirësimin e rezultateve të Prokurorisë Speciale.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet forcimit të kapaciteteve dhe rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe transnacional, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e parave dhe veprimtarinë e organizatave kriminale që operojnë përtej kufijve shtetërorë.
KPK vlerëson se përballja me këto forma të kriminalitetit kërkon prokurori profesionale, efikase, të mirëmenaxhuara dhe të afta për të vepruar në mënyrë të koordinuar me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
KPK nuk do të tolerojë që dobësitë në menaxhim, mungesa e rezultateve apo mosrespektimi i standardeve të performancës të cenojnë funksionimin e Prokurorisë Speciale dhe përmbushjen e misionit të saj ligjor.
Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar ndaj pavarësisë, profesionalizmit, integritetit, llogaridhënies dhe efikasitetit të sistemit prokurorial dhe do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e tij ligjore për të garantuar që institucionet prokuroriale të përmbushin në mënyrë të përgjegjshme dhe efektive misionin e tyre kushtetues dhe ligjor.
Efikasiteti i Prokurorisë Speciale nuk është çështje e brendshme e një institucioni. Ai është pjesë e drejtpërdrejtë e funksionimit të sundimit të ligjit, mbrojtjes së interesit publik dhe garantimit të sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.


























