KPK nis intervistimin e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes Panelit Vlerësues, ka nisur procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke shënuar një fazë të rëndësishme në procedurën e përzgjedhjes së drejtuesit më të lartë të sistemit prokurorial në vend.

Sipas KPK-së, për të garantuar transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët, pyetjet standarde të intervistimit janë hartuar tre orë para fillimit të procesit, në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile.

“Paneli Vlerësues do të intervistojë gjatë ditës së sotme Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

KPK ka bërë të ditur se kandidatët do t’i nënshtrohen të njëjtave standarde të vlerësimit profesional, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Procesi po monitorohet nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, OSBE-së, EULEX-it, EU4FAST-WB-së, si dhe organizata të shoqërisë civile, përfshirë Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Betimi për Drejtësi, BIRN, GLPS, AVONET, KDI dhe Lëvizjen FOL.

Pas përfundimit të intervistave, Paneli Vlerësues do të vazhdojë me procedurat e vlerësimit deri në paraqitjen e propozimit për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, në përputhje me dispozitat ligjore.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish