Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka paralajmëruar masa të mëtejshme sanksionuese ndaj televizioneve dhe radiove të licencuara që nuk i kanë shlyer obligimet financiare, duke bërë të ditur se masa e paralajmëruar është gjoba në vlerë sa dyfishi i obligimeve vjetore ndaj KPM-së, përcjell KosovaPost.
KPM-ja, pas shqyrtimit të raporteve financiare lidhur me borxhet e televizioneve dhe radiove të licencuara ndaj saj, ka konstatuar se shuma e përgjithshme e borxheve të papaguara është jashtëzakonisht e lartë.
KPM-ja ka rikujtuar të gjithë të licencuarit që ende nuk i kanë shlyer obligimet e tyre financiare se afati shtesë prej dy muajsh, i përcaktuar për përmbushjen e këtyre obligimeve, është duke përfunduar.
Sipas KPM-së, Neni 13.1 i Rregullores për Tarifën Vjetore për Licencë përcakton se tarifa vjetore për licencë, për të gjitha kategoritë e të licencuarve, duhet të depozitohet në tërësi në llogarinë bankare të KPM-së deri më 30 qershor të vitit respektiv.
Ndërkaq, KPM-ja ka theksuar se Neni 15 i kësaj Rregulloreje përcakton që, në rast të mospagesës me kohë të tarifës për licencë, ndërmerren masa sanksionuese në pajtim me Ligjin për KPM-në.
KPM-ja bëri të ditur se, duke marrë parasysh detyrimet e papërmbushura të disa të licencuarve, fillimisht ka zgjedhur një qasje që u mundëson atyre ta korrigjojnë situatën dhe t’i përmbushin vullnetarisht obligimet e tyre.
Për këtë qëllim, përveç masave të shqiptuara si “vërejtje”, KPM-ja u ka dhënë të licencuarve një afat shtesë prej dy muajsh për shlyerjen e plotë të obligimeve.
“Kjo periudhë shtesë është një mundësi e fundit për të gjithë të licencuarit që të përmbushin detyrimet e tyre pa kaluar në fazën e masave të mëtejshme sanksionuese”, thuhet në njoftimin e KPM-së.
KPM-ja ka njoftuar se nuk ekziston asnjë mundësi për ri-programim të borxhit apo pagesë me këste dhe se të gjitha detyrimet financiare të papaguara duhet të shlyhen në tërësi dhe brenda afatit të përcaktuar.
Sipas KPM-së, të licencuarit të cilët edhe pas skadimit të afatit të përcaktuar në vendimet përkatëse nuk i kanë shlyer obligimet e tyre, do t’i nënshtrohen masave të mëtejshme sanksionuese.
“Në përputhje me vendimet e marra, masa e paralajmëruar për mospërmbushjen e obligimeve brenda afatit të dhënë është gjoba në vlerë sa dyfishi i obligimeve vjetore të të licencuarit ndaj KPM-së”, ka njoftuar KPM-ja.
KPM-ja ka rikujtuar se, nëse mospërmbushja e obligimeve vazhdon, mund të ndërmerren edhe masa të tjera të parapara me legjislacionin në fuqi, përfshirë pezullimin dhe marrjen e licencës.
“Respektimi i kushteve të licencës është detyrim, jo çështje vullneti”, ka theksuar KPM-ja.
KPM-ja u ka bërë thirrje të gjithë të licencuarve që kanë obligime të papaguara që të shfrytëzojnë ditët e mbetura dhe t’i përmbushin obligimet e tyre, duke shmangur ndërmarrjen e masave të mëtejshme sanksionuese.


























