Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një thirrje të fundit për qytetarët që ende nuk kanë votuar, duke theksuar se kanë mbetur më pak se tre orë deri në mbylljen e procesit të votimit.
Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, Kurti i ka ftuar të gjithë ata që ende nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës që ta bëjnë këtë sa më shpejt, duke e cilësuar votimin si vendim për zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Ai u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që tashmë kanë votuar, që të inkurajojnë familjarët, miqtë dhe të afërmit e tyre të dalin në votime, duke theksuar se pjesëmarrja e gjerë forcon demokracinë dhe Republikën e Kosovës.
Kurti ka rikujtuar gjithashtu se qytetarët që ndodhen në komuna të tjera për shkak të angazhimeve të tyre mund të votojnë me kusht në komunën ku gjenden, pasi secila komunë ka të paktën një qendër votimi të dedikuar për këtë qëllim.
“Dil dhe voto! Pak kohë ka mbetur. Mos e lër për në fund!”, ka qenë mesazhi përmbyllës i kryeministrit drejtuar qytetarëve.


























