Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin e tij gjatë katër viteve të shërbimit diplomatik në vend, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti kujtoi se me ambasadorin Westerlund njihen prej kohësh, duke theksuar se takimi i tyre i parë kishte ndodhur në verën e vitit 1998 në Suedi, kur ai, si përfaqësues i unionit të studentëve, merrte pjesë në një konferencë në kohën kur Kosova kishte nevojë për mbështetjen e botës demokratike.
“Sot, pas katër vjetësh të shërbimit si ambasador i Suedisë në Republikën e Kosovës, e falënderova për bashkëpunimin e mirë dhe kontributin e tij në ruajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve. Suedia i është gjendur popullit të Kosovës në ditët më të vështira dhe ne jemi përherë mirënjohës për këtë”, ka shkruar Kurti.
Sipas kryeministrit, gjatë takimit u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, mundësitë që vendi ofron për investitorët, si dhe për procesin e integrimeve euro-atlantike të Kosovës.
Kurti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një partnere të rëndësishme dhe mike të vendit.


























