Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Kurti ka thënë se e ka falënderuar Pierce për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, ndërsa ka vlerësuar mbështetjen britanike për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“E falënderova për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësova mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij lidhur me aktgjykimet e shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara.
“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara”, ka theksuar Kurti.
Ai ka theksuar se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar dhe ka shprehur pritjen që çështjet e ngritura prej tij të trajtohen në procedurën e apelit.
“Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, në takim është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, perspektivën e marrjes së statusit kandidat për Bashkimin Evropian si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike”, ka shkruar ai.
Kurti ka uruar paraprakisht Dame Karen Pierce për ditëlindjen e saj, e cila festohet të nesërmen, duke i dhuruar një kujtim nga Republika e Kosovës.


























