Kurti mori pjesë në prezantimin e gjetjeve të MICS 2025 në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e gjetjeve të Anketës së Treguesve të Shumëfishtë – MICS në Kosovë 2025, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në partneritet me UNICEF-in.

Sipas njpftimit nga Zyra e Kryeministrit, në fjalën hyrëse, Kurti, falënderoi të gjithë të angazhuarit në realizimin e anketës, duke thënë se ajo ofron një pamje shumë më të qartë dhe të dhëna gjithëpërfshirëse si po rriten fëmijët tanë, çfarë mundësish kanë, ku kemi bërë përparim dhe ku vazhdojnë të ekzistojnë dallime që nuk duhet t’i pranojmë si të pashmangshme.

“Mund të kemi qëllime të mira, mund të kemi programe dhe investime, por pa të dhëna të besueshme nuk mund ta dimë me siguri nëse ato po arrijnë te njerëzit që kanë më së shumti nevojë“, tha ai, duke shtuar se pikërisht këtu qëndron rëndësia e kësaj ankete.

Duke bërë krahasime ndërmjet viteve 2014, 2020 dhe vitin 2025, ai tha se të dhënat që prezantohen sot na japin arsye për të qenë optimist, për faktin se në shumë prej treguesve që lidhen me shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve, Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm.

“Por, të dhënat na tregojnë njëkohësisht se puna jonë assesi nuk përfundon këtu. Ende ka dallime që duhet t’i zvogëlojmë dhe fusha në të cilat mundemi dhe duhet të ecim më shpejt. Synimi ynë duhet të jetë që përparimi që po shohim sot të shtrihet te secili fëmijë, te secila familje dhe në çdo pjesë të vendit tonë. Detyrën që kemi përpara është që progresi të jetë gjithnjë e më i madh dhe të arrijë te të gjithë”, tha ai, duke shtuar se si Qeveri, mirëqenien e fëmijëve dhe të familjeve e kemi vendosur në qendër të politikave tona publike.

Kryeministri Kurti përmendi mbështetjen e Qeverisë ndër vite për nënat lehona dhe shtesat për fëmijë, duke thënë se kemi investuar në edukimin në fëmijërinë e hershme, kemi mbështetur programe për zhvillimin dhe intervenimin e hershëm dhe kemi krijuar më shumë mundësi për të rinjtë përmes politikave të punësimit dhe të aftësimit.

“Kur investojmë në fëmijë, në familje, në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, ne adresojmë nevojat e sotme dhe njëkohësisht krijojmë mundësi për një shoqëri më të shëndetshme, më të arsimuar dhe më aktive ekonomikisht”, tha kryeministri.

Rezultatet e anketës do të shërbejnë në hartimin e politikave sociale, në arsim, në shëndetësi, në politikat e punësimit, por dhe në planifikimin e investimeve të ardhshme për familjet, në veçanti për fëmijët.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish