Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është takuar me kongresistin amerikan Joe Wilson.
Në një postim në facebook, Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në sigurinë dhe mbrojtjen, investimet dhe sundimin e ligjit.
“Në New York, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u takova me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve. Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe partneriteti ynë mbetet themelor për sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë.
Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundim të ligjit. Biseduam për synimin tonë për anëtarësim në NATO, për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe për partneritetin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Iowa-s, që nga viti 2011. Nga konsumuese, Kosova është shndërruar në kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare.
Folëm gjithashtu për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e ruajtjes së orientimit euroatlantik të rajonit dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Me kongresistin Wilson, i cili është njëherësh aktiv në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, diskutuam edhe për aspiratën e Kosovës që të avancojë drejt pjesëmarrjes së plotë në OSBE.
Vëmendje të veçantë i kushtuam shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nënpërfaqësimit të tyre në institucionet publike, polici, gjyqësor e shëndetësi, pasivizimit të adresave, pengesave ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe mosnjohjes së diplomave të fituara në Kosovë. Duke qenë i shoqëruar edhe nga Deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kërkova që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mbrohen në Komisionin e Helsinkit dhe shkelja e tyre të trajtohet në komunikimet me Beogradin.
E falënderova kongresistin Wilson për mbështetjen e tij ndaj Kosovës dhe për angazhimin në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon, si dhe e ftova që ta vizitojë përsëri Republikën e Kosovës, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan”, ka thënë Kurti


























