Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së ish-deputetes dhe aktivistes Flora Brovina, e cila ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, përcjell KosovaPost.
Kurti e ka përshkruar Brovinën si një figurë me një jetë të tërë të përkushtuar ndaj aktivizmit, duke theksuar kontributin e saj humanitar, politik dhe shoqëror.
Flora Brovina kishte lindur më 30 shtator 1949 në Skenderaj. Ajo kishte studiuar mjekësinë në Beograd dhe Prishtinë, ndërsa ishte specializuar si pediatre dhe më pas si pediatre klinike në Zagreb. Në fillimet e karrierës së saj kishte punuar edhe si gazetare për shëndetësi dhe çështje sociale në gazetën “Rilindja”.
Në vitin 1992, Brovina themeloi organizatën Lidhja e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua në mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe në ofrimin e ndihmës humanitare dhe mjekësore.
Gjatë viteve ’90, ajo u shqua për aktivitetin e saj në mbrojtje të të drejtave të grave dhe organizimin e protestave kundër regjimit të atëhershëm serb. Gjatë luftës në Kosovë, ajo u angazhua edhe si mjeke në strukturat mjekësore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 20 prill 1999, Brovina u arrestua nga policia serbe dhe u burgos. Në ditët e fundit të luftës u transferua në Serbi së bashku me mbi 2 mijë shqiptarë të tjerë. Më 9 dhjetor 1999, një gjykatë në Nish e dënoi me 12 vjet burgim, ndërsa më pas rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata Supreme e Serbisë.
Pas presionit ndërkombëtar, përfshirë atë të organizatave për të drejtat e njeriut dhe institucioneve evropiane, Brovina u lirua më 1 nëntor 2000, pas 19 muajsh të kaluar në burg.
Kurti ka përmendur edhe çmimet dhe mirënjohjet që Brovina kishte marrë për veprimtarinë e saj, ndër to “Tucholsky Prize” nga Swedish PEN, PEN/Barbara Goldsmith Freedom to Write Award, Çmimin për Kurajo Qytetare nga Heinrich Böll Foundation dhe Millennium Peace Prize for Women.
Brovina ishte deputete e Kuvendit të Kosovës në gjashtë legjislatura, nga viti 2001 deri më 2019, dhe ishte një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
“Flora Brovina do të kujtohet nga populli i Kosovës dhe do të njihet nga historia e vendit tonë për angazhimin e saj publik dhe veprën e saj kulturore, humanitare, aktiviste dhe politike”, ka shkruar Kurti.
Në fund të reagimit, ai ka shprehur ngushëllime për familjen Brovina, bashkëveprimtarët e saj dhe qytetarët e Kosovës.


























