Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, shkruan KosovaPost.
Gjatë takimit, Kurti e falënderoi ambasadorin Angili për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Republikës së Kosovës dhe për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike.
Ai theksoi se Turqia ka qenë një partnere dhe aleate e rëndësishme e Kosovës që nga çlirimi dhe shpallja e pavarësisë, duke veçuar bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes, aspektin ushtarak, si dhe në ekonomi e tregti.
Në fund të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Sabri Tunç Angili suksese dhe mbarësi në angazhimet e tij të ardhshme.


























