LDK-ja mban Kuvendin e Jashtëzakonshëm më 30 korrik

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë të enjten, më 30 korrik 2026, Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë. Kuvendi do të fillojë në orën 18:00.

Vendimi për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm është marrë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit.

“Në funksion të garantimit të rregullsisë, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit, Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit. Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës së delegatëve të Kuvendit, i nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet e tjera organizative do t’u komunikohen delegatëve në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Statuti, thuhet me tej në njoftim.

LDK-ja ka deklaruar se mbetet e përkushtuar që i gjithë procesi të zhvillohet në përputhje të plotë me Statutin e partisë, parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve të Kuvendit.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish